Sokaku i të Marrëve në Tiranë

on 26/08/2015 - 04:38 pm

Nga Kastriot Myftaraj

Sokaku i të Marrëve në Tiranë është rruga kryesore e ish-Bllokut të famshëm ku banonte udhëheqja komuniste e Shqipërisë. Pikërisht në nisje të këtij segmenti rrugor ishte postblloku (checkpoint) i ruajtur nga ushtarët e Gardës së Republikës dhe oficerët e Sigurimit të Shtetit, që ishte hyrja kryesore për në Bllokun e Udhëheqjes, siç quhej kjo zonë e mbyllur. Atje nuk mund të hynte askush që nuk ishte i ftuar nga “zotat” e “Olimpit’ komunist. Zyrtarisht ky është segmenti i rrugës “Ismail Qemali”, që nga pika ku pritet me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, te ish-ndërtesa e Komitetit Qendror të PPSH, sot zyrat e Kuvendit të Shqipërisë, deri te Rruga “Sami Frashëri”. Gjatësia e këtij segmenti rrugor është 520 metra dhe mund të përshkohet në këmbë për rreth shtatë minuta me ecje normale. Fjala “sokak” ka hyrë në gjuhën shqipe nga turqishtja, ku është e prejardhur nga arabishtja “zuqaq”. Fjala “sokak” ka kuptimin e një rruge tregu. Sokaku shpesh është i shtruar me gurë por në trajtë të çrregullt që quhet “kalldrëm”.


Pasi komunistët morën pushtetin në Shqipëri, në nëntor 1944, meqënëse kreu i regjimit të ri, Enver Hoxha, i cili ishte me origjinë nga Sokaku i të Marrëve në Gjirokastër, mori një shtëpi për të banuar pikërisht në këtë rrugë, atje shkoi me banim gjysma e Sokakut të të Marrëve nga Gjirokastra. Në të vërtetë, Enver Hoxha vendosi që ta projektonte Sokakun e të Marrëve të Gjirokastrës në Tiranë. Sokaku i të Marrëve në Gjirokastër nis pikërisht në të djathtë të shtëpisë ku ka lindur Enver Hoxha, në lagjen Palorto. Ismail Kadare, një tjetër i famshëm i lindur në Sokakun e të Marrëve në Gjirokastër, shkruan në librin e vet “Pesha e kryqit”, për raportin që kishte vendosur mes të dyve Sokaku i të Marrëve:


“Ne ishim të dy nga një qytet, madje nga një lagje. Shtëpitë tona nuk ishin më shumë se dyqind hapa larg në vijë ajrore. Për të shkuar nga njëra shtëpi te tjera duhet të ecësh nëpër një rrugicë që quhet ‘Sokaku i të marrëve’. Emri i kësaj rrugice e cila ka qenë aq e lidhur me fëmijërinë time, më pas, sa më tepër që bëhesha i njohur (e ai ishte, ndërkaq, i njohur), merrte një kuptim profetik. Kur gazetat e huaja përsërisnin formulën ‘dy shqiptarët më të njohur në botë, E. Hoxha e I. K.’, në mendjen time ajo formulë shndërrohej aty për aty: ‘dy të marrët më të njohur të Shqipërisë’. Por edhe më providencial më ngjante ai emër kur simbolikisht e lidhja me raportet e mundshme midis shkrimtarit dhe tiranit. Ato raporte dukej se nuk mund të kalonin veçse në një itinerar marrëzie.” (Ismail Kadare, Vepra, vol. 20, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 234)


Vetë Enver Hoxha, në kapitullin me titull “Nëpër shtëpi e sokakë” të librit të vet me kujtime për Gjirokastrën, “Vite të Vegjëlisë” e fillon me përshkrimin e rrugës të quajtur Sokaku i të Marrëve: “Kujtimet për mua kanë një rëndësi të madhe dhe më vijnë si të fotografuara në trurin tim e më radhiten si një album i qëndisur, ashtu siç e përfytyroj unë Gjirokastrën time të vogëlisë e të rinisë. Ta fillojmë nga Sokaku i të marrëve.


-Moj nëno, - i thosha gjyshes,- pse i thonë Sokaku i të Marrëve?
Ajo më përgjigjej:
-Ku di unë mor bir, as unë s’ e di pse i thonë Sokaku i të Marrëve. Mundet ngaqë ai ka gurë shumë dhe, kur zbresin njerëzit, bëhet aq shumë zhurmë, sa duket sikur kalojnë të marrët.- Kështu më thoshte nënoja.


Por ky Sokak i të Marrëve tash mua më është aq i dashur e më sjell ndër mend vogëlinë... Mbasi ngjitja sokakun veja në shtëpi.”(“Enver Hoxha: Vite të vegjëlisë”, f. 55- 56)


Por ky shpjegim, të cilin Enver Hoxha e ndjen të nevojshme ta japë për lexuesit, është pikërisht për të mashtruar fëmijët, çka qe Enver Hoxha në kohën kur gjyshja ia tha atë.


Një njohës shumë i mirë i këtij qyteti dhe banor i tij, Ismail Kadare, shkruan tek novela “Breznia e Hankonatëve”, libri më i mirë për të kuptuar Gjirokastrën:
“Martesat midis kushërinjve të parë, për shkak të moscopëtimit të pasurisë, nuk ishin të pazakonshme në Gjirokastër.”(Ismail Kadare: “Breznia e Hankonatëve”, tek: “Emblema e dikurshme” Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1981, f. 151)


Incesti solli që në qytet të lindnin defiçentë, debilë, dhe ç’ është më karakteristike, njerëzit në dukje normalë të kishin një element marrëzie. Tek çrregullimet mendore të shkaktuara nga incesti duhet kërkuar arsyeja tjetër e kësaj urbanistike surealiste, veç kërkimit të sigurisë (deri në paranojë) dhe ekstravagancës së burokratëve të pasur osmanë. Sokaku i të Marrëve ishte boshti i një realiteti urban që Ismail Kadare e quan “arkitektura e sherrit permanent”. Ismail Kadare, në një shkrim të tij të vitit 1982, me titull “Gjirokastra në të gjitha stinët” shkruan për qytetin e vet të lindjes: “Arkitektura e sherrit permanent mund të quhej fare mirë ajo që çatitë e shtëpive i ngrinte befas aty ku syri mund të priste çdo gjë veç çative e tymtarëve, ku një çezmë apo kanal i hapur pa kujdes në bodrumin e një shtëpie mund të shpërthente për shkak të disnivelit të truallit në dhomën e miqve të shtëpisë tjetër etj., etj. Pa përmendur shtëpitë që kishin stera me ujë çarja e të cilave mund të ishte katastrofë për fqinjët.”(Ismail Kadare: “Koha e shkrimeve”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1986, f. 375)


Ky realitet urban, i kombinuar me mendjet e çoroditura nga trashëgimia incestuoze, që e kishin krijuar atë, prodhoi në Sokakun e të Marrëve një tip të veçantë njeriu, me personalitet të çrregulluar. Enver Hoxha, afër fundit të jetës, e përshkroi hollësisht mënyrën sesi u vendos me banim në Tiranë, në fillim të vitit 1945, çka shënon dhe projektimin e Sokakut të të Marrëve gjirokastrit në Tiranë. Mënyra sesi Enver Hoxha mori shtëpi në Tiranë, është domethënëse për rendin kushtetues dhe shoqëror-ekonomik që ai krijoi në Shqipëri, pasojat e të cilit vendi vazhdon t’ i vuajë edhe sot me shpërbërjen vetëshkatërruese të këtij rendi. Enver Hoxha vetë do ta merrte shtëpinë e re në Tiranë, duke vepruar ipas traditës së heroit të fëmijërisë së tij, Sheme Hajdutit. Në 23 mars 1978, Enver Hoxha, në një mbledhje në Gjirokastër, u tregon të pranishmëve se si e mori shtëpinë, një muaj pasi erdhi në Tiranë, si kryetar i qeverisë komuniste:


“Pas çlirimit, kur akoma banonim përkohësisht në hotel ‘Dajti’ se nuk kishim zënë shtëpi, vjen njëri nga shokët e sigurimit dhe më thotë ‘Të kemi gjetur një shtëpi, por atje banon Petraq Katroja’. Thirra Esat Dishnicën që, siç e dini, dyqanin ‘Flora’ dhe gjithçka tjetër që ai kishte i sakrifikoi për Partinë, dhe e porosita si të vepronte. Ai vajti bashkë me dy partizanë në shtëpinë e Bellotit, ku banonte Petraqi. Trokitën në derë, por shtëpinë nuk e hapnin njerëzit brenda.


‘Hapeni derën, apo doni t’ jua futim me mitraloz?’ thirrën njerëzit tanë. Atëherë nga brenda qe dëgjuar një zë gruaje: ‘Ku e keni urdhërin?’ ‘Nuk ka urdhër me shkrim për të ta dhënë ty, po hap shtëpinë! Ku e ke burrin?’. ‘Nuk është këtu’, ishte përgjigjur prapë gruaja. ‘E kujt është ajo shtëpi?’, ‘Ka qenë e Bellotit, por tashti është e Petraqkës, që e ka me tapi’. ‘Vishni këpucët ti e Petraqka e na jepni çelësat e shtëpisë’, i kishte thënë Esati. ‘Po kjo qeveri nuk është nga ato që të na lerë në rrugë. Nuk e keni mirë këtë që po na bëni’, tha ajo. ‘Kështu është puna, nesër në mëngjes do të vijmë prapë, po se mos trazoni gjë me dorë nga ato sende që janë brenda’, kishte urdhëruar Esati. ‘Si urdhëron!’, kishte thënë ajo. Esati erdhi e më tha mua që u rregulluan edhe shtëpia me gjithë pajisjet e tjera. ‘Nuk keni nevojë të mendoni për asgjë që i duhet një shtëpie, sepse të gjitha janë gati atje’, tha ai. Kur vajtëm të nesërmen, nuk gjetëm asgjë në shtëpi. Për tërë natën Petraqi me njerëzit e tij i kishin hequr të gjitha.


‘Ku i keni fshehur plaçkat, ku e ke Petraqkën’, i thamë ne. Gruaja që gjetëm brenda u mundua të na gënjente, por shokët tanë i gjetën të gjitha. Nuk e di se çfarë u bë më tej, po më vonë mora vesh se Petraqin e kishin arrestuar. Pastaj nuk di gjë më se si vajti puna e tij. Kështu e pësuan Petraqi me shokë që iu kundërvunë popullit dhe luftës së tij.” (Enver Hoxha: Vepra, vol 64, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1989, f. 395-396)


Enver Hoxha nuk e thotë se me çfarë veprimesh konkrete Petraq Katro “iu kundërvu popullit”. Petraq Katro ishte një tregtar me origjinë nga Korça, i cili ishte fajtor vetëm për atë se shtëpia e tij, të cilën e zotëronte me titull pronësie mëse të rregullt i kishte pëlqyer kreut të regjimit të ri. Zonja Katro, e cila kërkoi një dokument zyrtar që urdhëronte largimin e familjes së saj nga shtëpia që kishte në pronësi, u vu në lojë nga njerëzit e regjimit të ri, të cilët i treguan armët, si mbështetje “ligjore” për veprimin e tyre. Zonja Katro duket se e kishte marrë seriozisht Deklaratën e të drejtave të qytetarit, të miratuar në Konferencën e Beratit, dhe që paraqitej si ligj themeltar kushtetues i regjimit të ri, sipas së cilës drejta e pronës njihej dhe ishte e garantuar. Por kjo ngjarje tregon se regjimi ri i konsideronte ligjet që kishte nxjerrë thjesht si aspekt të propagandës, ndërsa në realitet vepronte me mënyrat e banditëve Sipas shembullit të Enver Hoxhës, edhe njerëzit e tjerë të udhëheqjes komuniste grabitën shtëpitë e tjera të kësaj lagjeje me vila moderne për kohën të ndërtuara në vitet 30-40. Kështu lindi Blloku i udhëheqjes komuniste. Dhe kështu nisi procesi i shpronësimit të krejt shqiptarëve, që u kulmua kur fshatarëve shqiptarë iu ndalua e drejta për të pasur edhe pula si pronë private. Shqipëria kishte hyrë në Sokakun e të Marrëve të Historisë.


Diktatori i ri nuk e ndjente veten mirë nëse nuk ishte i rrethuar me njerëzit e mjedisit të tij, të Sokakut të të Marrëve të Gjirokastrës. Prandaj, përreth Bllokut u ndërtuan pallate banimi ku u vendosën me banim në radhë të parë, të gjithë ata që punonin në bllok si dhe njerëz të nomenklaturës, zyrtarë të nivelit të mesëm të nomenklaturës, njerëz të aparatit të Komitetit Qendror, Sigurimit të Shtetit, qeverisë, por çka duket domethënëse, shumë pak oficerë të ushtrisë. Në këto pallate, si dhe në vilat e Bllokut erdhën të banojnë më tepër se gjysma e banorëve të Sokakut të të Marrëve të Gjirokastrës.


Përveç Sokakut të të Marrëve mbitokësor, në Bllokun e Udhëheqjes u ndërtua edhe Sokaku i të Marrëve nëntokësor. Në nëntokën e Bllokut të Udhëheqjes u ndërtua një rrjet i tërë tunelesh, një metro në llojin e vet, në sajë të së cilës, në rast rreziku banorët e Bllokut mund të largoheshin shpejt dhe lehtë jashtë qytetit për në tunelet e tjera edhe më të sigurta në Malin e Dajtit, në skaj të qytetit ose edhe më tutje. Të katër rrugët mbitokësore që të çonin në bllokun e udhëheqjes qenë të mbyllura për kalimtarët. Enver Hoxha dilte shëtitje në Sokakun e të Marrëve në Tiranë, ku kishte dyqane të posaçme, të furnizuar me mallra perëndimore të çdo lloji, që shqiptarët nuk i kishin parë kurrë me sy në dyqanet jashtë Bllokut, që nga ushqimet te veshjet, televizorët, këpucët, barnat etj. Por në këto dyqane mund të blinin vetëm banorët e Bllokut. Dhe kur Enver Hoxha kthehej në shtëpi shkruante në ditar se dyqanet në vend janë të furnizuara mirë dhe njerëzit hyjnë e dalin në to të kënaqur, populli është pra i lumtur.


Shqiptarët që shëtisnin mbrëmjeve në xhiron e famshme në bulevardin e madh të Tiranës, kur arrinin në pikën ku Sokaku i të Marrëve priste bulevardin kthenin kokën andej me kureshtje e frikë, sikur të gjendeshin pranë hyrjes së një bote të mistershme, krejt të ndryshme nga bota e tyre. Propaganda zyrtare kërkonte t’ i bënte shqiptarët të besonin se nga Sokaku i të Marrëve në Tiranë nuk drejtohej vetëm Shqipëria, por atje vendosej edhe e ardhmja e krejt botës, falë disa sharlatanëve të paguar nga regjimi komunist shqiptar, që vinin në Shqipëri ku paraqiteshin si liderë të lëvizjeve komuniste në botë, që e njihnin Enver Hoxhën si liderin e komunizmit botëror të vërtetë, besnik ndaj marksizëm-leninizmit, ashtu siç e kishte interpretuar Stalini, mësuesi dhe idhulli i tij.


Enver Hoxha supozohej që t’ i printe Shqipërisë në shtegun e historisë kah e ardhmmja e ndritur dhe ai në fakt i printe në Sokakun e të Marrëve të Historisë. Sokaku i të Marrëve në Tiranë ishte në fakt një Qorrsokak, siç quhet në turqisht një rrugë pa krye.


Sokaku i të Marrëve krijoi edhe misteret e veta kriminale. Jo më kot diktatori i Sokakut të të Marrëve, Enver Hoxha ishte i apasionuar pas letërsisë policore dhe adhuronte Eugene Sue dhe veçanërisht librin e tij “Les Mysteres des Paris”. Numri 2 i diktaturës, Kryeministri Mehmet Shehu ndërtoi një shtëpi të re pikërisht në hyrje të Sokakut të të Marrëve, përballë ndërtesës së Komitetit Qendror të Partisë-shtet. Dhe një mëngjes ai u gjet në shtratin e vet, “i vetëvrarë” me dy plumba në trup, një mister kriminal ky që nuk është sqaruar ende dhe sot.


Në shkurt 1991, pas rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës, qytetarët e Tiranës u nisën të mësyjnë Bllokun e Udhëheqjes, por u ndalën nga Neritan Ceka, një nga drejtuesit e rinj të opozitës së porsakrijuar (Partisë Demokratike), i cili u tha atyre me një megafon të dhënë nga Policia, se do ta quante provokator atë që bënte thirrje për të marshuar drejt Bllokut. Në të vërtetë ishte Neritan Ceka, ai që kishte hyrë në lëvizjen demokratike si agjent-provokator, për të provokuar ndryshimin e kahjes së natyrshme të turmave të zemëruara me diktaturën komuniste. Ceka më vonë ka thënë se ai shmangu gjakderdhjen e madhe. Por a do të guxonte vërtet diktatori komunist Ramiz Alia të urdhëronte që të qëlloheshin me armë turmat, për të mbrojtur Bllokun? Edhe nëse ai do ta bënte këtë gjë, rrjedha e ngjarjeve do të kishte qenë krejt tjetër.


Blloku shpëtoi dhe u transformua, duke u shndërruar lagje elitare kapitaliste, me Sokakun e të Marrëve si rrugën kryesore të saj. Sokaku i të Marrëve u bë rruga më trendy e Tiranës dhe Shqipërisë, e mbushur me kafeteri, restorante, klube nate, butikë veshjesh e bizhuterish, banka, agjenci turistike e udhëtimesh ajrore etj. Ata që e grabitën pasurinë publike të Shqipërisë pas vitit 1990, me të njëjtën metodë siç mori Enver Hoxha shtëpinë e familjes Katro, ata që grabitën trojet në qytete e bregdet, ata që grabitën ndërmarrjet shtetërore, fabrikat jorentabël për qëllimin për të cilin qenë ndërtuar, por shumë rentabël për qëllime të tjera, ata që fituan të drejtën e monopoleve të mallrave fitimprurëse, duhanit, karburanteve, pijeve alkoolike etj., ata që fituan të drejtën të ndërtojnë pallate shumëkatëshe ku të duan e si të duan, duke mos respektuar rregullat urbane, ata që fituan me rryshfet tendera për punë publike, që nuk u bënë kurrë, ata që shesin me shumicë ushqime dhe barna të skaduara, hekur radioaktiv, të gjithë këta pra, e bënë Sokakun e të Marrëve tempullin e tyre, simbolin e shoqërisë së re hybride të tranzicionit, me një kapitalizëm të rremë, që në fakt nuk është gjë tjetër veçse komunizmi i dështuar në përpjekjen djallëzore për të marrë trajtën e kapitalizmit të rremë, ashtu që të legjitimohet grabitja e pasurisë së vendit nga ish-nomenklatura komuniste.


E në këtë proces djallëzor, qëllimisht Sokakut të të Marrëve dhe ish-Bllokut iu dha statusi i zonës që i paraprin modernizimit të Shqipërisë, pra u shndërrua në një legjendë urbane, me të cilën është i lidhur një ritual urban. Nuk është ironi e vogël që sapo kalimtari ka bërë disa metra në Sokakun e të Marrëve tabela e një lokali sikur e pyet atë “Quo Vadis”?(Ku po shkon) Pyetja që Shën Pjetri i bëri Krishtit kur e pa me kryq në shpinë në rrugën për në Romë. Ku po shkoj? Çfarë pyetjeje! Në Sokakun e të Marrëve, ku tjetër!


Sokakqar, domethënë ai që endet sokakëve. Gjithkush që e quan veten dikushi në Tiranë e në Shqipëri, shkon në Sokakun e të Marrëve, që të kryejë ritin e sokakqarit, domethënë i përshkon disa herë 520 metrat e kësaj rruge, në të dy anët e saj, duke u ulur disa herë në kafeteritë në dy anët e saj. Dhe këtë gjë e bën në mos një herë në ditë, së paku një herë në javë, apo në muaj,apo së paku një herë në vit. Kështu bëjnë edhe shqiptarët që vinë në Tiranë nga Kosova, Maqedonia e trojet e tjera shqiptare. Ky është tashmë një ritual urban në Tiranë, që e kryejnë të gjithë, që nga politikanët, ministrat, deputetët, gazetarët, tregtarët, shkrimtarët, aktorët, këngëtarët, vajzat e bukura, profesorët, studentët, klerikët, diplomatët, mafiozët, zyrtarët në orarin e punës, gjykatësit, prokurorët, policët jashtë shërbimit e në shërbim, homoseksualët, pedofilët, të çmendurit e dalë përkohësisht nga çmendinat, lypësat, prostitutat, vjedhësit. Vetëm një specie nuk gjen në Sokakun e të Marrëve, ata që quhen qen sokaku, pra qentë pa zot. Në Sokakun e të Marrëve gjen vetëm qenër të fisëm, që shëtisin dinjitetshëm me të zotët apo zonjat e tyre. Cila të jetë arsyeja e mungesës së qenëve pa zot në Sokakun e të Marrëve, kur në rrugët e tjera i ndesh aq shpesh. A thua që shkaku të jetë se për këtë kujdesen posaçërisht pronarët e kafeterive e dyqaneve të Sokakut të të Marrëve dhe Policia, e paguar privatisht prej tyre? Apo qentë pa zot të rrugëve, me intelektin e tyre qenor kanë arritur në përfundimin se në Sokakun e të Marrëve rolin e qenve të sokakut, siç quhen qentë pa zot, e bëjnë frekuentuesit dykëmbësh të kësaj rruge?


Çdo njeri që i thotë vetes dikush ulet për të pirë diçka në shoqërinë e tij, ose edhe vetëm, në tryezat e kafeterive të Sokakut të të Marrëve, të cilat kanë mbushur edhe trotuaret në dy anët e rrugës. Kalimtarët nuk duket se mërziten sepse ata vetë, pothuajse të gjithë janë duke shkuar ose posa janë çuar nga tryeza të tjera të kafeterive, ku do t’ u sjellin ose u kanë sjellë tashmë bezdi kalimtarëve të tjerë, që janë klientë të mëhershëm ose të mëvonshëm të kafeterive. Kjo është një nga të vërtetat e Sokakut të të Marrëve që e njohin të gjithë pa qenë nevoja ta thotë askush.


Shumë nga frekuentuesit e Sokakut të të Marrëve e mbajnë veten si pjesë të elitës intelektuale të vendit. Në tryezat e kafeterive të Sokakut të të Marrëve bëhet politikë, bëhet filozofi, bëhet histori, bëhet futurologji, domethënë parashikohet e ardhmja e vendit, bëhet teologji, bëhet shkencë e rreme, bëhet letërsi e çartur. Bëhen Sokak llafesi që në turqisht do të thotë “thashetheme”. Në tryezat e Sokakut të të Marrëve shiten tendera për punime publike që nuk do të kryhen kurrë, shiten nënkontraktime për tendera me financime europiane, të fituara nga kompani të huaja, që nuk sjellin asnjë punonjës dhe asnjë makineri në Shqipëri.


Në tryezat e Sokakut të të Marrëve bëhet drejtësi e rreme duke u shitur vendime gjyqësore, akt-akuza të tjetërsuara, ekspertiza policore për autorë krimesh. atje lirohen nga burgu kriminelë, atje fitojnë imunitet kriminelë në kërkim që ndërkohë ecin në Sokakun e të Marrëve me supervetura secila prej të cilave kushton sa krejt pagat mujore të krejt gjyqtarëve të Gjykatës së Tiranës. Në tryezat e Sokakut të të Marrëve diskutohen intrigat e politikës së lartë, atje rishkruhet historia, atje diskutohen sekret e shtetit, atje emërohen e shkarkohen zyrtarë. Në tryezat e Sokakut të të Marrëve profesorët shesin diploma e grada shkencore, si pako, bashkë me tekstin e temës së diplomës e të gradës shkencore.


Në tryezat e kafeterive të Sokakut të të Marrëve shiten deputetë, të dalë nga vota e popullit, të cilët kalojnë nga partia në parti. Në tryezat e kafeterive të Sokakut të të Marrëve shiten femra që presin të ulura në tryezën tjetër të vendoset fati i tyre, pra që femra të cilat kanë atë që mund të quhet talent në llojin e vet, për të qenë prostituta të afta, do të bëjnë karrierë të madhe politike, televizive apo akademike, si deputete, prezentatore televizive, pedagoge, apo do të shkojnë të punojnë si prosituta në qytetet e Europës. Atje vendoset që meshkuj homoseksualë që u pëlqejnë diplomatëve të huaj të bëjnë karrierë të madhe në shoqërinë civile, në OJF-të shumë fitimprurëse. Atje vendoset që psikopatë sadomazokistë të shpallen analistë politik televizivë, për t’ u ndërsyer si qenër të tërbuar ndaj kundërshtarëve politikë.


Sokaku i të Marrëve është një paradë mode, ku bëhet një garë e pashpallur e sendeve të shtrenjta, që prej veshjeve, kostumeve, fustaneve, çantave, orëve, telefonave, bizhuterive të femrave, varëseve e byzylykëve të meshkujve, këpucëve, sandaleve, por edhe veturave, motorrëve, e ndonjëherë edhe të ndonjë helikopteri.


Nëse dëshiron ta kuptosh Shqipërinë e sotme dhe të së shkuarës, si histori, antropologji, sociologji, kriminologji, nisuni dhe përshkoni 520 metrat e Sokakut të të Marrëve si një vëzhgues i vëmendshëm. Në hyrje të Sokakut të të Marrëve, nga ana ku ai takohet me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është hyrja për deputetët në ndërtesën ku është selia e Kuvendit (ish-Selia e Komitetit Qendror të Partisë së Punës-komuniste). Pikërisht në këtë pikë të zbulohet e vërteta e politikës së sotme shqiptare, e traditës së tarafeve osmane, ashtu siç shfaqet e përthyer sot nën prizmin e institucioneve demokratike moderne. Në anën tjetër të rrugës, në trotuarin para hyrjes së shtëpisë së ndërtuar nga ish-Kryeministri Mehmet Shehu, çdo ditë, gjendet një turmë e vogël njerëzish. Këta janë zgjedhësit që presin të takojnë deputetët, të cilëve u kanë dhënë votën, për t’ iu kërkuar që t’ u zgjidhin probleme të ndryshme. Deputetët që dalin nga selia e Kuvendit. Deputetët u kushtojnë atyre minimumin e kohës së mundshme dhe shpejtojnë të kryejnë ritualin urban në Sokakun e të Marrëve.


Askund më mirë se te Sokaku i të Marrëve nuk e percepton më qartë shtresimin e arkeologjisë urbane të kryeqytetit shqiptar, krimin urban që është bërë në Tiranën e pas vitit 1990 me betonizimin e lejuar, jo me ndërtimet pa leje. Kur kjo rrugë dhe zona përreth saj nisën të ndërtohen në kohën e Monarkisë, u projektuan si një zonë e gjelbëruar me ndërtime të ulëta. Këtë profil urban të zonës e ruajti edhe shteti komunist. Ai që e ndryshoi profilin urban të zonës qe Edi Rama, në 11 vitet kur ishte Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Pothuajse krejt ana e majtë e rrugës, kur hyn nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është mbushur me pallate të lartë, disa deri në 12 kate, të ndërtuar ngjitur me njëri-tjetrin. Në anën e djathtë të rrugës, përballë me ish-shtëpinë e Enver Hoxhës është ndërtuar një përbindësh 12 katësh prej betoni, një prej pallateve më të shëmtuar në Tiranë. Por Edi Rama nuk është fajtori i vetëm. Në kohën e kryebashkiakëve të PD-së, para tij, Arkitektonika elegante e pallacinave të bukura trekatëshe të ndërtuara nga italianët në kohën e Luftës së Dytë Botërore, në dy anët e kësaj rruge, u deformua shëmtueshëm me shtesa katesh e shtesa anësore, të bërë pas vitit 1990. Madje disa prej tyre u shembën për t’ u ndërtuar përbindshat shumëkatësh prej betoni. Nga koha kur Sali Berisha ishte në pushtet herën e parë, kemi trashëgim kioskat në Sokakun e të Marrëve, të ngritura me dinakëri si shtesa të lokaleve në katet e para të pallateve, në hapësirën publike para tyre. Kur Edi Rama ndërmori aksionin e famshëm për prishjen e kioskave në Tiranë, kur ishte kryetar bashkie, nuk i preku kioskat e Sokakut të të Marrëve dhe në përgjithësi të zonës së ish-Bllokut të Udhëheqjes.


Vetëm në Sokakun e të Marrëve mund të ndodhë që një motorr i zi, pa targa, me dy vrasës të hip[ur në të, të hyjë atje nga bulevardi kryesor duke kaluar në anë të ndërtesës së Qeverisë dhe asaj të Kuvendit, pa u ndaluar nga policët, dhe të qëllojë për vdekje në hyrje të selisë së një banke të madhe në mes të Sokakut, presidentin e kësaj banke, bankierin më të madh të vendit, ndërsa polici i qarkullimit rrugor që gjendet me shërbim pak metra larg të largohet me vrap. Vetëm në Sokakun e të Marrëve mund të ndodhë që në shesh të mbetet kufoma e bankierit ndërsa vrasësit të largohen të paprekur. Dhe kështu misteri i bankierit të vrarë i bën shoqëri misterit të ish-kryeministrit komunist të vrarë.


Nëse do të përshkoni Sokakun e të Marrëve në krejt gjatësinë e tij, në dy anët rrugës, si dhe nëse hyni në galeritë gjata të pallateve në dy anët e tij të mbushur me dyqane, do të gjeni të gjitha llojet e bizniseve të mundshme: kafeteri, restorante, ëmbëltore, byrektore, banka, butikë të çdo lloji, që shesin veshje, këpucë, lule, kancelari, pajisje elektronike, do të gjeni agjenci turistike dhe ajrore, farmaci ku shiten të gjithë llojet e barnave, shitës ambulantë. Do të gjeni madje edhe një supermarket perëndimor, ku ka gjithçka që dëshironi. Por në Sokakun e të Marrëve nuk do të gjeni një librari sado të vogël. Të vetmet libra që shiten në Sokakun e të Marrëve janë disa pak libra të vjetër, që i shet një bukinist ambulant i cili i vendos ato çdo ditë mbi murin e ulët të ish-shtëpisë së Enver Hoxhës, duke i mbështetur në gardhin metalik. Një pjesë e madhe e tyre janë libra të ish-të zotit të shtëpisë në murin e së cilës janë vendosur librat. Merret vesh, frekuentuesit e shumtë të Sokakut të të Marrëve nuk janë të interesuar për libra. Libri nuk është një mall që ecën në Sokakun e të Marrëve. Në Sokakun e të Marrëve, unë nuk jam autor librash, por: Ai që del te emisioni i Arian Çanit!


Sokaku i të Marrëve ka mikroklimën e vet. Duke qenë se nga njëra anë e tij gjenden pallate të lartë e në anën tjetër një rrugë më tutje ka gjithashtu pallate të lartë, ai është shndërruar në një lloj tuneli ajror, që kur fryn erë paksa e fuqishme zbulon sekretet e tij kriminale. Nëse hyn në Sokakun e të Marrëve kur era të fryn përballë të vjen një aromë e fortë e canabis sativa të djegur, falë cigareve me ashash që tymojnë me shumicë klientët e kafeterive atje. Këtë aromë e ndjejnë të gjithë përveç natyrisht policëve. Operacioni i suksesshëm i Policisë në Lazarat nuk solli aspak dobësimin e aromës mbisunduese të Sokakut të të Marrëve. Një nga banorët më të shquar të Sokakut të të Marrëve, që është njëherësh banor dhe sokakqar (shëtitës) i rregullt, Koço Kanabisi, në këto ditë është i gjallëruar si rrallëherë.


Me projektimin në Tiranë të Sokakut të të Marrëve të Gjirokastrës, në 1944, Shqipëria hyri në Sokakun e të Marrëve të Historisë dhe vazhdon të gjendet edhe sot nën diktatin e këtij Sokaku të mallkuar. Pra Shqipëria gjendet e ngujuar në Qorrsokakun e Historisë./Kastriot Myftaraj

Comments