Pas krahëve të Ilir Metës

on 10/09/2015 - 08:50 pm

Nga: AGRON GJEKMARKAJ

Pas krahëve të Ilir Metës zien një intrigë e madhe. Një thashethemnajë politike është ulur mes nesh prej kohësh. Edi Rama dhe enturazhi i tij duket se janë arkitektët e kësaj ngrehine. Mozaikut nuk i mungojnë ngjyrat e ndërkombëtarëve. Nevoja për të mbajtur pushtetin dhe frika se mos nga i njëjti e humbasin atë sjell një çoroditje alogjike. Për Ilir Metën kanë nevojë të gjithë dhe sapo e përmbushin atë (nevojën), i zapton dhe udhëheq frika, i ndezullon ideja si mund t’ia hedhin, jo nga ndonjë parim, por nga makthi se mos ua hedh ai. Veçse në anë, si aleat, apo përballë, si kundërshtar, nuk kanë një shenjtor apo babaxhan që ia këput gjumit. Deri tani përvoja ka treguar se shpenzimet Ilir Meta i ka bërë me harxhet e të tjerëve dhe e gjithë politika me tonat.

Në fushën e lojës thirret me zyrna “virtyti” dhe “vesi”. Në këtë rast shtjella mundohet ta identifikojë Edi Ramën me virtytin, ndërsa Ilir Metën me vesin. Një skaner i etikes së marrëdhënieve të dy partive të mëdha me të tretën na ndihmon të kuptojmë më mirë. PD-ja përgjegjësinë e keqqeverisjes u mundua ta shkarkojë te LSI-ja, vulën e korrupsionit krejt mbi atë. A është LSI-ja tempull virtyti dhe përshpirtjeje?! Sigurisht që jo, askush nuk e beson këtë. Modelet e saj të administrimit të gjësë publike, po të gjykojmë edhe nga një sërë denoncimesh, të kallin datën me kusarinë dhe plaçkitjen. Çdo fëmijë do të qeshte me të madhe nëse pyetja i bëhet në këtë forme dhe çdo plak i padhëmbë do të zgërdhihej.

Ç’do të thotë korrupsion që ta thjeshtojmë përfytyrimin nëpërmjet përgjigjes?! Para publike të vjedhura në Tiranë dhe në provincë, të materializuara si vila, në mal e breg, në kryeqytetin tonë dhe në ato të Europës, sidomos në Vjenë e Londër, biznese e dyqane, me emrat e të tjerëve, makina luksoze, fëmijë në shkollat më të shtrenjta të Europës, llogari bankare, orë, kostume, këpucë, brekë, sytjena, prezervativë firmato etj. Një vend që zhvatet në mënyrë që pasardhësit të jetojnë të qetë në Europë.

Në këtë kontekst, nëse u bëhet një vëzhgim i imët ish-zyrtarëve të PD-së dhe atyre të LSI-së, nuk është çudi që konkurrenca të jetë mjaft e ndershme mes tyre, mbase barazim dhe në pjesë të veçanta dalin në epërsi ish-pushtetarët e PD-së. Kjo do të thotë që vesi i ka pushtuar të gjithë dhe kjo vlen si për lidershipin, ashtu edhe për hierarkinë shkallare, deri te një qyqar që paguan 5000 euro për një vend pune.

Hajdut është si ai që vjedh pesë, si ai që vjedh pesëqind, kur e rras dorën një herë, të tjerat janë çështje guximi, jo morali. Si parti qendrore në qeverisje PD-ja me 80% pushtet kishte edhe 80% në tortën e korrupsionit. Fshehja pas retorikës nuk bind askënd. Projektimi i fajit te një segment, kur ai shtrihet këmbëkryq, gjithkund është hipokrizi publike dhe mashtrim. Pak veta mund ta luajnë kartën morale në politikën shqiptare. Ndaj nuk është folklor t’i kërkosh ata.

Pas denoncimit të BIRN-it, në të cilin flitet për miliona euro që kanë përfunduar në mekanizmin e vjedhjes, Prokuroria shqiptare, drejtësia në përgjithësi, duhet të bëjë dritë, ndonëse pothuaj gjithmonë ka qenë aleate e errësirës. Pse jo edhe kësaj here problemi do të tretet si kripa në ujë. Opozita me të drejtë po e kthen në kauzë të dorës së parë dhe po përpiqet ta shndërrojë në betejë të madhe politike postin e Ilir Metës.

Por dyshimi se mos opozita po bie në kurthin e Edi Ramës dhe po i shërben atij në dukje pa dashje, ekziston. Çështja “Meta” shpërtheu ose u servir tani kur ministri i Brendshëm është i rrezikuar seriozisht me një imazh publik copë-copë me pasoja mbi vetë ekuilibrin e qeverisë. Unifikimi i Metës me Tahirin ndoshta për herë të dytë është një mënyrë për të shpëtuar Saimirin e përfolur së tepërmi gjatë këtij viti. Rama e di që sakrifikimi i Metës i kushton shumë dhe është operacion tejet i vështirë, por me vëmendje të madhe. Rama ka gjasa që hedh gurin si pjatë gjelle për opozitën e uritur si iluzion të këtij sakrifikimi dhe fsheh dorën duke i hedhur spirancën për ministrin.

Një Metë i dobësuar dhe në grushtin e tij si lodër duhet të jetë një ëndërr e hershme e piktorit. Edi Rama me kapilarët e tij ka interes të hedhë në treg “tezën Meta” si një ushqim politik bio për mediat dhe shoqërinë, e cila e etur surprizash harron për momentin keqqeverisjen dhe gjeografinë e skandaleve, ekonominë e rrënuar dhe krimin, i cili nga rruga shkon deri në Parlament.

PD-ja për një sërë arsyesh e kishte të domosdoshëm shtimin e agresivitetit ndaj LSI-së për të ndalur hemorragjinë e elektoratit të saj përkundrejt kësaj partie që rritet duke joshur. Por në këtë rast bashkimi i çështjes Meta me çështjen Tahiri shton unitetin mes tyre, kur në prag trokiste lufta. Përpjekja ndyn pak Metën po jo aq sa për ta rrezikuar seriozisht dhe mban në karrige Saimir Tahirin si pjesë e paketës që maxhoranca duhet të mbrojë. Çdokush e ka të qartë se dorëzimi i të dyve do të thotë rënie e kësaj maxhorance. Edi Rama hesht dhe nuk e mbron Metën, teksa opozita e sulmon vendçe, duke mos i lënë hapësirë manovrimi.

Pas zgjedhjeve lokale, Meta i tradhtuar nga braktisja e socialistëve ka kritikuar politikat ekonomike të qeverisë, mbi taksat, turizmin, biznesin, situatën e rendit publik, duke shmangur përgjegjësitë nga vetja dhe duke i adresuar qartë ato mbi Ramën, çka e thellonte hendekun mes tyre. Njerëzit e Ramës ndoshta me bekimin e tij ndryshe nga koha e Berishës, që ky bekim nuk stimulohej, përflasin kudo e pa mëshirë aleatin e tyre qeverisës si problemin e problemeve, si dështimin kryesor të këtij vendi. Por kush e drejton ekonominë, turizmin, rendin publik, diplomacinë, tatimet, doganat etj?! A nuk është PS-ja në krye të tyre?!

A nuk është vetë Edi Rama dhe të përzgjedhurit e tij?! Kjo nuk e shpëlan Metën nga mëkati, por as Rama nuk bëhet djall më i bardhë.
Në dy vite qeverisja Rama-Meta ngjan sikur ka dhjetë vjet në pushtet për nga konsumimi, mediokriteti në kult, përfoljet për afera korruptive e kriminale, por përsëri proporcioni i fajit shkon sipas përqindjeve në pushtet. Nga pikëpamja njerëzore, kush sot në Shqipëri mendon se Saimir Tahiri është më i ndershëm se Klajda Gjosha, se Arben Ahmetaj është më i ndershëm se Edmond Panariti, apo Damian Gjiknuri është më i ndershëm se Edmond Haxhinasto etj?!

Askush! Por gjithashtu askush nuk mendon se Edi Rama është me i ndershëm se Ilir Meta. Nëse ka edhe diplomatë që mendojnë si kërthiu, janë thjesht hipokritë, sepse naiviteti i fëmijës nuk përkon me zanatin e tyre. Mjafton të shohim Tiranën që kemi sot, një monstër urbane. E pra, ajo nuk është kështu, se të tillë na e la komunizmi, as Sali Kelmendi me Brojkën e Bashën, madje as Ilir Meta dikur Kryeministër, por se kështu e bëri Edi Rama. A mund të katandiset kështu një qytet nga ndershmëria?! Kurrë jo. Dy vitet e qeverisjes së Ramës nuk kanë asgjë të përbashkët me “virtytin” që Kryeministri do të stimulojë kundër vesit. Ato janë vesi në çdo pikëpamje.

Rama, pasi i lëpiu të gjitha ato që kishte hedhur ndaj Ilir Metës, bëri paktin e aleancës për të ardhur në pushtet dhe me instrumentet e pushtetit do ta diskreditojë Metën që të ketë mundësi të ndahet prej tij pa kosto në emër të një kauze morale. Në këtë pikë do të trumbetojë diferencën me Berishën. Gjithsesi, te kjo histori morali ka vdekur që në djep. Kush do t’ia besojë këtë pragmatizëm banal, pas së cilës fshihet një ego e frikshme për pushtet absolut?!

Fakti që Sali Berishës, dhe jo për faj të Lulzim Bashës, fati po i servir shakatë e radhës me deputetë të zgjedhur prej tij, që ikin prej PD-së për t’i shërbyer qeverisë, tregon se Edi Rama po mbledh zahire për dimër. Por përtej çdo lëvizjeje që llogarit ai, nuk ka asnjë epërsi morale ndaj Ilir Metës, në planin etik, në raport me korrupsionin dhe malavitën, por thjesht i druhet atij. Prej kohësh dyshja udhëton në të njëjtën varkë, me ndryshimin që paktet i mban Meta dhe i prish gjithmonë Rama. Domethënë, ky i fundit pret rastin për ta hedhur vërtik e në det. Pas krahëve të Ilir Metës rri pezull e shtyra.

Reforma në drejtësi, nëse realisht do të bëhet ajo që qarkullon në media, kryesisht i duhet shefit të ekzekutivit si sëpatë demokleu mbi kokën e Metës dhe ndonjë tjetri që e rrezikon apo nuk i bindet. Ndaj Meta kërkon që ajo të miratohet në konsensus me opozitën, fakt ky që do të zbehte ndikimin e Ramës mbi sistemin e drejtësisë. Bindja prej hallexhiu e nxjerr Metën të dobësuar në këndvështrimin popullor, ndërsa rezistenca jep të tjera mesazhe. Tani veç reformës në drejtësi, Kryetari i Parlamentit mund ta shfaqë atë te dekretet e Presidentit që priten të rishqyrtohen siç është edhe ligji famëkeq për arsimin e lartë. Në LSI ka mbetur ende ndonjë profesor universiteti që ta udhëzojë në këtë drejtim, po i pyeti. Pas krahëve të Ilir Metës ka pritje.

Praktikisht Meta është mes dy zjarresh, i shtrënguar t’i bëjë luftë të padëshiruar opozitës dhe t’i ofrojë buzëqeshje të padëshiruara Ramës. Në shënjestër e ka nxjerrë Rama, mbi të po gjuan Basha. E drejta po udhëton në labirinth. Mbetet për t’u parë nëse kemi një fajtor, një doras apo një ngas! Koha si ilaçi më i mirë do të na tregojë se cila sëmundje duhet kuruar më parë. Pas krahëve të Ilir Metës nuk projektohet një e ardhme e themeluar mbi moralin.


/panorama/

Comments